Marre nga Shqiptarja.com – Fredi Beleri, kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Himarës, është zyrtarisht i arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Vlorës me akuzën e ‘korrupsionit aktiv në zgjedhjet’, pra për blerje të voatve. Ai u ndalua nga policia mbrëmë në mesnatë, bashkë me 3 të tjerë, ndërkohë që ka qenë prej ditësh në hetim.
Arrestimi u krye si autor i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 328 e 25 te K.Penal, që ka ndodhur në rrethanat si më poshtë: Ky shtetas është kapur në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votes”, thuhet në proceverbalin e arrestimit.
Të shoqëruar në komisariatin e Vlorës së bashku me Fredi Belerin kanë qenë edhe 3 persona të tjerë, avokati i tij, një anëtar i Shtabit elektoral dhe një tjetër. Shoqëruesi i Belerit, Pano Kokoveshi është vënë në pranga për korrupsion në zgjedhje në bashkëpunim.Kokaveshi, truproja i Fredi Belerit, rezulton të jetë i afërmi i Andrea dhe Nikollë Kokoveshit. Këta dy së bashku me Fredi Belerin nën siglën e organizatës “MAVI” hynë nga Greqia në territorin shqiptar të armatosur duke sulmuar me armë postën kufitare të Peshkëpisë. Ndërkohë, janë thirrur për t’u marrë në pyetje disa banorë të Himarës.
Një agjent policie zbuloi të paktën rastin e blerjes së 8 votave nga Fredi Beleri, një votë 5 mijë lekë, gjithsesj 40 mijë lekë. Burime zyrtare të Prokurorisë së Vlorës, i thanë Report Tv, ky pazar votash nga Beleri, kandidati i koalicionit Meta-Berisha për Bashkisë e Himarës, është dokumentuar. Të njëjta burime tregojnë për Report Tv, se hetimet nisën pasi policia, pati informacion paraprak për kërkim vote me para. Agjenti i policisë ishte në mesin e njerëzve që iu premtua kjo gjë. Këtu nisi dhe mbikqyrja, kurse agjenti i infiltruar, u pajis me logjistikën e nevojshme, që nga rregjistruesi, për dokumentim të provave.
Agjenti i infiltruar nga policia, ka biseduar shumicën e kohës me një prej bashkëpunëtorëve të afërt të Belerit, duke regjistruar veprimet e tij mbi bazën e urdhrave të përgjimit të nxjerrë nga prokuroria e Vlorës. Agjenti i infiltruar po ashtu ka biseduar me Fredi Belerin 5 ditë para se të arrestohet. Prokuroria ka dokumentuar se në momentin kur do të bëhej dorëzimi i parave, ka pasur një vonesë të palëve në takim dhe për këtë, anëtari i stafit ka pasur një komunikim me Fredi Belerin, i cili e udhëzon të presë dhe pak. Dorëzimi i parave ka ndodhur në ambientet e brendshme të lokalit, në WC, dhe e gjithë skena është e regjistruar me bisedat zanore që kryejnë personat e përfshirë. Dyshohet se paratë i ka dhënë ndihmësi i Fredi Belerit.
Ndalimi i Belerit është bërë pak pas mesnate, nga forca ‘Shqiponja’ dhe FNSH teksa ishte në shëtitoren e Himarës. Beleri dhe 3 të tjerët janë dërguar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Vlorës. Ai është marrë në pyetje në Komisariatin e Vlorës. Mësohet se ndalimi i Fredi Belerit është bërë pas një hetimi të prokurorisë së këtij qyteti, konkretisht i prokurorit Anton Pali, pasi kishte indicie për sa i përket veprimeve të Belerit dhe anëtarëve të stafit të tij.
Report Tv ka siguruar videon nga momenti i arrestimit të Fredi Belerit. Në pamje duket që Beleri po qëndron me disa persona në lokalin e tij në shëtitoren e Himarës kur efektivë të Policisë së Shtetit e arrestojnë. Në operacion kanë marrë pjesë Forcat ‘Shqiponja’ por edhe ato të FNSH. Në pamje duken 6-7 forca policie që i marrin me shpejtësi personat, ndoshta edhe për të shmangur ndonjë incident apo irritim me mbështetës të Belerit. Për momentin çështja po hetohet nga policia dhe prokuroria e Vlorës.
Mbrëmë pas mesnate, në ambientet para komisariatit të Himarës janë mbledhur një grup simpatizantësh, ndërkohë që ka qenë i pranishëm edhe Vangjel Dule, kreu i PBDNJ, partia në koalicion me Berisha-Meta që e ka propozuar kandidatin Beleri. Në një prononcim për mediat Dule e ka quajtur sulm të pastër politik arrestimin e Fredi Belerit dhe bën thirrje që të tilla tentative për pengimin e procesit elektoral të ndalen veprime të tilla. Sipas Dules shoqërimi i sotëm i Belerit orkestruar enkas nga kryeministri Rama.
Ndërkohë që sot në polici janë thirrur edhe banorë të Himarës. Një prejt tyre ishte Mariglinda Mërkuri nga Himara. “Na është premtuar 200 mijë lekë për tre persona. Nuk me ka thënë gjë Fredi Beleri, por më ka thënë Niko Panajoti jepja votën Belerit edhe lekët ai do të mi jepte”.
Një tjetër banor, Ligor Merkuri, u shpreh se ju kanë premtuar nga 100 mijë lekë për votë por që deri më tani nuk ju kanë dhënë asgjë.
Në një intervistë ekskluzive kryeministri Edi Rama akuzoi Fredi Belerin për tentativa për manipulim të votave. Rama e cilësoi Belerin “një maskara” për të cilin shtoi se ka angazhuar njerëz për të kërcënuar emigrantët shqiptarë në Greqi që të votojnë për të më 14 maj. Rama foli edhe me emra kur tha se 2 personat që po kërcënojnë emigrantët se do iu grisin letrat greke janë Napolon Çakalli dhe Spiro Koka, të cilët i paralajmëroi se do merret personalisht me ta.
Beleri ka deklaruar se nuk është i përfshirë në shit-blerje të votës, por pavarësisht kësaj, është lënë në burg. Nga ana tjetër, Greqia bën thirrje për lirimin e tij. Ministri i Jashtëm Grek, Nikos Dendias kërkon lirimin e Belerit, nëse s’ka prova.