Komunikimi për shit-blerje votash ka vënë në pranga 52-vjeçar Kristo Agalliu dhe ka vënë nën hetim Agron Duron. Ky i fundit, sipas mediave po bisedonte me koordinatorin e Partisë së Lirisë në Kuçovë dhe i kërkojnë 15 mijë lekë për 4 vota.
Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpi” për K. Agalliun, i cili akuzohet për korrupsion në zgjedhje me shitblerjen e votave. 52-vjeçari përballë togave të zeza tha se ka qenë nën efektin e alkoolit dhe nuk e mban mend bisedën telefonike.
Agalliu u pa duke biseduar në telefon me koordinatorin e Partisë së Lirisë në Kuçovë, duke i premtuar se do t’i sillte vota në këmbim të një shpërblimi financiar. Video pretendohet se është filmuar në një lokal në zonën e Freskut në kryeqytet. Personi në pamje është Agron Duro 61 vjeç banues në Tiranë, që tashmë po hetohet në gjendje të lirë nga policia. Në anën tjetër të telefonit, është Kristo Agalliu, 52 vjeç, i arrestuar në Kuçovë për llogari të policisë së Tiranës.
Sipas bisedës, çmimi i votave ishte 15 mijë lekë, 5 mijë prej të cilave do të përdoreshin për karburant. Në videon e regjistruar me telefon, Agron Duro nuk përmend se në emër të cilës parti po blihen votat, por në media u përfol se Kristo Agalliu është koordinator i Partisë së Lirisë në Kuçovë. I menjëhershëm ishte reagimi i kandidatit të koalicionit Berisha-Meta për Kuçovën, Lefter Maliqi, i cili tha se personi i arrestuar është votues socialist dhe ngjarjen e cilëson inskenim të policisë me urdhër të ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili tha se janë inskenime.
Pas shfaqjes në media të videos, policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi” arrestoi 52-vjeçarin Agalliu dhe po heton në gjendje të lirë 61-vjeçarin duke theksuar se të dy, kanë komunikuar me njëri-tjetrin për shit-blerje votash për një subjekt politik. Materialet procedurale për këtë çështje, i kanë kaluar SPAK-ut, që heton krimet zgjedhore.
Video: Kortezi’ e Euronews Albania