Ish deputeti i LSI-së Vangjel Tavo depozitoi në fundin e muajit mars në prokurorinë e rrethit Gjirokastër dy kallëzime penale. Ai pretendoi se të dyja paditë lidheshin njëra me kërcënimin e drejtëpërdrejtë të tij dhe tjetra me garën e pandershme në zgjedhje. Aso kohe në një dalje publike ai dha detaje që kishin të bënin me këto dy shqetësime.
Sipas tij një qytetar vepronte në zona të ndryshme në emrin e tij dhe se subjekti politik Partia Socialiste kishte mbushur magazinbat e Drejtorisë së Zjarrëfikëseve në Gjirokastër me tonelata ushqimesh.
Ai i tha prokurorisë së bëhej fjalë për një numër të madh personash që duhet t`i verifikonin policia dhe organi i akuzës por ai iu bëri me dije prova filmike dhe vendin e ngjarjes, aty ku ai pretendonte se po kryhej vepra penale që binte në nenet e krimit zgjedhor.
Ai i tha prokurorisë së këta persona shpërndanin ndihmat ushqimore dhe veshmbathje në këmbim të votës që të shkonte për Partinë Socilaiste. Sipas të dhënave u bë me dije se me datën 13 Prill këto kallëzime erdhën në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Por me sa duket edhe kallëzimet e Tavos nuk janë dukur shqetësime serioze për hetimin. Për pasojë bëhet me dije se të dy çështjet e tij më vonë janë pushuar.