Tropojë, Shtator 2021 – Prokuroria Tropojë vendos mosfillimin e procedimit penal për dy kallzime për krime të dyshuara zgjedhore. Të dyja ngjarjet janë depozituar si kallzime në periudhën e fushatës zgjedhore për Zgjedhjet e 25 Prillit për Kuvendin e Shqipërisë.
Ngjarja e parë është një referim rasti nga ana e Policisë së Tropojës, në ngarkim të shtetasit me iniciale I.M, për një ngjarje të ndodhur në fshatin Ragam, Njesia Administrative Llugaj Tropojë. Ngjarja ka ndodhur në datë 15.04.2021, teksa në këtë fshat zhvillohej një tubim elektoral i subjektit zgjedhor Partia Socialiste. Ndaj këtij shtetasi është paraqitur kallzim për kryerje të veprimeve që pendojnë ushtrimin e lirisë së mendimit, grumbullimit apo manifestimit, parashikuar nga neni 261 i Kodit Penal. Konkretisht bëhët fjalë për një xhirim gomash, por edhe një komunikim verbal për mos-lejim të tubimit në livadhin e fshatit .
Edhe pse kjo vepër e dyshuar penale bie në parashikimet e që përmban Seksioni III i Kodit Penal, konkretisht vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike, ngjarja e referuar nga policia ka sfond të fortë elektoral pasi në rastin konkret bëhët fjalë për akte që dyshohet se pengojnë zhvillimin e aktiviteteve zgjedhore.
Ndaj rastit në fjalë është bërë referim i veprës së dyshuar penale në prokorori, nga Komisariati i Policisë Tropojë, regjistruar me nr. 1144, dt 15/04/2021 dhe menjëherë kanë nisur verifikimet nga ana e organit të akuzës. Në datë 26/04/2021 është marrë vendim mosfillimi, firmosur nga prokurori Artur Ismajlukaj.
Ngjarja e dytë, për të cilën është referuar kallzim në prokurori nga Policia e Tropojës ka të bëjë sërish me një takim elektoral të Partisë Socialiste. Në datë 09.04.2021, teksa PS ka qenë duke zhvilluar një takim të planifikuar elektoral, është konstatuar një mjet fluturues, dron, i cili i cili mbante një flamur të subjektit politik Partia Demokratike.
Nga shërbimet e Policisë është kapja e mjetit fluturues si dhe janë marrë në pyetje disa shtetas. Këta kanë deklaruar se nuk lidhje me dronin fluturues që mbante flamurin e PD. Pasi janë kryer veprimet hetimore, rezultoi se nuk ishin konsumuar veprat penale që parashikohen nga Neni 261 i Kodit Penal, “Pengimi në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”.
Prokuroria Tropojë ka vendosur mosfillimin e procedimit penal për kallzimin e paraqitur (me numer regjistri 1073, dt 09.04.2021).