19 maj 2021/Vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për t’i shpallur të vlefshme zgjedhjet në qarkun e Gjirokastrës, PD e ka cilësuar si të kundraligjshëm. Në një deklaratë për mediat, sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso u shpreh se vendimi do të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor.
Sipas Kasos, ajo që u vendos sot në mbledhjen e KAS duke mos marrë provat në shqyrtim duhet të mos përsëritet në Kolegjin Zgjedhor. Ai kërkoi që të bëhet një hetim i plotë dhe që vendimmarrja e Kolegjit të jetë e ndryshme nga ajo e SPAK dhe zgjedhjet në qarkun e Gjirokastrës të shpallen të pavlefshme.
“Sapo u njohëm me vendimin e komisionin e Ankimit dhe Sanksioneve lidhur me kërkesën tonë për pavlefshmëri në qarkun e Gjirokastrës, kërkesë e cila u shqyrtua e para, dhe le të themi që nuk kishte asnjë surprizë në këtë vendimmarrje të paralajmëruar që kur KAS-i refuzoi të merrte provat e shumta që u kërkuan nga ana e opozitës të cilat do të faktonin dhe do të dëshmonin masakrën zgjedhore të zgjedhjeve të 25 prillit. Është një vendim në këndvështrimin tonë, i kundraligjshëm, dhe si i tillë, do të ankimohet menjëherë në Kolegjin Zgjedhor”- tha ai në daljen për mediat menjëherë pas vendimit të KAS!