Tre kandidatët e Vetëvendosjes pas ankimimit që bënë ditën e sotme në KAS për procesin zgjedhor në tri qarqe kanë vendosur të publikojnë edhe pamjet e pretendimeve të tyre. Menjëherë pas rastit të Tepelenës janë shfaqur të tjera pamje të cilat dalin në lidhje me procesin zgjedhor, ku votat e opozitës janë bërë të pavlefshme.
Lëvizja Vetëvendosje e Tiranës ka bërë publike një video ku shihet qartë ndërhyrja e një numëruesi me anë të një lapsi në votë. Sipas tyre duket se numëruesi ka pasur në dorë një laps dhe ka bërë të pavlefshme çdo votë të dhënë për Partinë Demokratike. Siç edhe duket në pamje, ai zhgarravit me laps votat e PD-së, ndërsa ato për partitë e tjera kalojnë në një tjetër dorë.
Reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje:
“Lapsi i vogël i vjedhjes së madhe të votave! Duke fshehur edhe dorën edhe lapsin, çfarë shenjash po vendos ky anëtar i Grupit Numërues nëpër fletë votime gjatë procesit të numërimit? Shikoni në të majtë anëtarin e Grupit të Numërimit në Vendin e Numërimit të Votave në datën 26 prill 2021.
Pamjet janë nxjerr nga videoxhirimet zyrtare të KQZ-së. Edhe për këtë rast ankesa është depozituar mbrëmë në KQZ/KAS. Të merren menjëherë masa nga KQZ-ja dhe organet e drejtësisë! Zgjedhjet janë të pavlefshme, duhet vajtur në rivotim”-thanë kandidatët e Vetëvendosjes pas publikimit të këtyre pamjeve.