10 Maj 2021 – Partia Demokratike me anë të Gazmend Bardhit ka bërë me dije se kaq dorëzuar në SPAK një kallëzim penal për manipulim të zgjedhjeve. Në një dalje publike, Bardhi tha se është kallëzuar kryeministri Edi Rama bashkë me 4 persona të tjerë.
Po ashtu, PD në këtë kallëzim liston pas kryeministrit Rama edhe emrin e drejtorit të Policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj, kandidatin e Partisë Socialiste, Frrok Gjini, dhe dy vëllezërit Babaj, Ilir e Basri Babaj. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat bëri me dije kallëzimin penal. “Në krye të skemës së manipulimit të zgjedhjeve qëndron personalisht Edi Rama. Pjesë e saj janë, drejtori i Policisë së Shkodrës Niko Brahimaj, kandidati për deputet Frrok Gjini dhe dy vëllezërit Babaj”, tha Bardhi, duke lexuar publikisht emrat e kallëzuar .
Sipas kallëzimit që Bardhi tha se kanë bërë në SPAK, Basri Babaj është kapur disa ditë para zgjedhjeve me armë dhe para në një makinë të blinduar, por me ndërhyrjen e kryeministrit Rama ai është liruar. “Basri Babaj është ndaluar dhe është shoqëruar nga drejtori i Policisë Niko Brahimaj, të mërkurën, disa ditë para datës së zgjedhjeve. Në makinë janë gjetur 2 armë zjarri, shuma të mëdha parash si dhe materiale zgjedhore, e lista të banorëve të zonës. Sipas Bardhit, me ndërhyrjen e Ramës, Basri Babaj është lënë i lirë mesnatën e asaj dite. Ndërhyrjen e Edi Ramës e ka ndërmjetësuar një telefonatë e Frrok Gjinit, i renditur i pesti në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës. Mënjeherë pas lirimit, Edi Rama ka zhvilluar një telefonatë me Ilir Babajn, person me të shkuar kriminale dhe njëkohësisht Drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve Vau i Dejës ku i ka kërkuar atij të punojnë sa më fort për fitoren e Partisë Socialiste”, tha ndër të tjera Bardhi ne daljen e tij publike para kamerave te medias.