06 maj 2021/Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve z. Ilirjan Celibashi dhe Nënkomisionerja zj. Lealba Pelinku ishin në ambientet e KQZ-së në Lundër ku po kontrollohen dhe verifikohen gjurmët daktiloskopike të zgjedhësve në pajisjet elektronike të identifikimit të kthyera nga qendrat e votimit.
Gjatë prononcimit për mediat Komisioneri Celibashi informoi se aktualisht po bëhet transferimi i të dhënave në serverin qendror të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ata njoftuan që do të inofrmojnë mediat dhe opinion publik mbi ecurinë dhe gjithë shkeljet që do të konstatohen.
“Kjo është faza e parë e gjithë procesit të verifikimit të të dhënave që janë marrë gjatë procesit të identifikimit të votuesve. Pas fazës së parë, kopjimit të të dhënave në serverin qendror, do të bëhet kryqëzimi i gjithë të dhënave në të gjitha pajisjet e përdorura në Qendrat e Votimit. Nëpërmjet procesit të kryqëzimit të të dhënave do të shikojmë nëse do të ketë raste të votimit të një zgjedhësi në disa qendra votimi të ndryshme apo brenda të njëjtës qendër votimi”.-tha Celibashi!
Duke marrë shkas nga një video e publikuar në rrjetet sociale Celibashi sqaroi se është thënë thënë disa herë qoftë nga ana e tij dhe nga Nënkomisionierja Pelinku, se qëllimi i përdorimit të kësaj pajisje ka qenë të regjistronte gjurmët e gishtit të të gjithë atyre që shkonin për të votuar.
“Ata të cilët për arsye të ndryshme kanë dashur ta bëjnë prova apo dhe për arsye të tjera të paligjshme, dhe e kanë vendosur gishtin disa herë në pajisje ose në pajisje të ndryshme do të evidentohen qartësisht dhe duhet të japin llogari përpara organeve kompetente. Atyrë që kanë thënë se pajisja nuk ka funksionuar, ju them se pajisja ka funksionuar sepse qëllimi ka qenë të evidentojë shenjat e gishtit që votuesit lënë gjatë procesit të votimit”.
Komisioneri u shpreh me siguri se në rastet kur dikush e ka vendosur gishtin në më shumë se njëherë në pajisjen e identifikimit është i detyruar të japë shpjegime në çfarë rrethanash ka ndodhur kjo gjë. Kështu që sa më shumë video të tilla të shfaqen në rrjete sociale aq më shumë i kontribuojnë procesit të hetimit dhe verifikimit.