Partia Demokratike në një dalje publike ditën e sotme i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme llogari se përse nuk ka nisur hetimet mbi kallëzimet që janë regjistruar nga ana e tyre. Ishte Belind Këlliçi i cili në një dalje për mediat ka folur mbi dy raste kallëzimesh të bëra në qarkun e Durrësit.
Ai ka nxjerrë edhe dokumentet e kallëzimeve penale që janë realizuar në dy data të ndryshme. E para daton 2 prillin dhe kallëzimi është hartuar nga ana e Gazmend Bardhit. Në të janë të kallëzuar penalisht 44 persona, të gjithë të kallëzuar për ‘shpërdorim detyre’, ‘korrupsion aktiv dhe pasiv’, ‘përdorimi i funskionit poublik në zgjedhje’, ‘kanosje’ dhe ‘marrje në përdorim të dokumenteve të identifikimit’!
Kallëzimi i Bardhit, sipas Këlliçit u pasua edhe nga një kallëzim i dytë i kryer nga Edi Paloka, drejtuesi politik i qarkut të Durrësit. Ai depozitoi në SPAK kallëzimin për të njëjtin grup por që në kallëzim gjenden të listuar 17 persona. Në fakt janë një sërë kallëzimesh që janë depozituar në SPAK disa ditë para datës së zgjedhjeve që në fokus kanë ndërhyrjen në zgjedhje për të cilat prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë asnjë informacion mbi nisje hetimesh.