04 Maj 2021/Gjykata e Lezhës ka lënë në burg me afat 60 ditor katër të arrestuarit për dhunimin dhe kanosjen e 38-vjeçarit Ylli Kacoli që publikoi video-denoncimin ku pretendohet shitblerja e votës në favor të Partisë Socialiste në Lezhë. Bëhet fjalë për shtetasit Mirash Paplekaj, 46 vjeç, banues në Torovicë; Gëzim Paplekaj, 50 vjeç, banues në lagjen ‘Besёlidhja’ Lezhё; Donald Paplekaj, 22 vjeç, banues në lagjen ‘Besёlidhja’ Lezhё dhe Jetmir Palekaj, 29 vjeç, banues në fshatin Bleran, Shkodёr. Ndonëse avokati i të pandehurve i tha gjykatës se nuk ka vepër penale në asnjërën prej pretendimeve të ngritura nga ana e Prokurorisë, Gjykata vendosi t`i lërë kohë organit të akuzës dy muaj për të sjellë prova dhe fakte.
Ngjarja
Ylli Kacoli publikoi një vidoe të shokut të tij, Gëzim Paplekaj, në të cilën fliste për shitje të votës. Në atë material që u psotua nga Kacoli, Paplekaj pretendonte se kishte marrë 20 mijë lekë për t`i dhënë votën e tij dhe të familjes së tij Partisë Socialiste. Pas daljes së videos, Kacoli u kanos nga katër familjarë të Gëzim Paplekajt, burrit që shfaqet në filmim ku pretendonte se kishte marrë 20 mijë lekë për 4 vota të familjes për Partinë Socialiste. Video-denoncimi për blerje vote, 38-vjeçari nga Lezha u kërcënua me jetë që ta mohonte. Burimet thanë se 4 agresorët i kanë kërkuar 38-vjeçarit Kacolli që të përgënjeshtronte dëshminë në video dhe të deklaronte se Gëzim Paplekaj ka qenë nën efektin e alkoolit kur është filmuar.
Por kjo nuk është pranuar nga Kacoli dhe në këto kushte 4 pjestarët e fisit Paplekaj e kanë kanosur me jetë, e kanë dhunuar dhe i dëmtuan automjetin. Nga ana tjetër në dëshminë e dhënë në polici 45-vjeçari Gëzim Paplekaj, protagonist i videos mësohet të ketë mohuar se ka marrë para për vota. Ai ka thënë se deklarimet në video janë bërë nën efektin e alkoolit dhe se nuk ka qenë i vetëdijshëm. Por referuar dëshmisë së tij me zë dhe figurë për shitblerje votash, video e cila u bë virale, është regjistruar procedim penal dhe çështja i ka kaluar për hetim SPAK.