01 Maj 2021/Në konferencën mbi incidentet e fushatës zgjedhore ku u paraqit një raport paraprak të mbi një sërë rastesh që lidhen me kallëzime në prokuroritë e rretheve dhe në SPAK, veç të tjerave, drejtori ekzekutiv i INFOCIP, Gerti Shella, hodhi edhe një ide-propozim. Duke iu referuar jo vetëm situatës në terren, shifrave, fakteve por edhe dëshmive të ndryshme që në fokus kanë shit-blerjen ose blerje-shitjen e votës, si proces, ai u ndal konkretisht tek dy nenet që e rregullojnë këtë vepër penale por edhe tek ajo që duhet të shtohet në vazhdim.
Ai propozoi që të gjithë ata persona që kapen në këtë dukuri, që dalin të implikuar dhe iu vërtetohet fajësia e tyre në shitje dhe blerje votash tu hiqet e drejta për të votuar herën tjetër. “Ka ardhur koha që të gjithë ata që ekspozohen, dyshohen, apo provohen që përfshihen në këto lloj transaksionesh që cënojnë intigritetin e zgjedhjeve thjesht t`u hiqet e drejta për të votuar herës tjetër”!
Z.Shella u ndalua edhe tek fakti që nuk duhet të ndëshkohen njësoj ata që e blejnë votën me ata që e shesin votën. Duke marrë në konsideratë gjendjen në të cilën mund të ndodhet një ‘shitës’, pra në rastin konkret, zgjedhësi, drejtuesi i INFOCIP kërkoi që ligji t`i diferencojë këto dy kategori, për shkak që s`mund të vihen asnjëherë në të njëjtën peshore.
“Për të dy palët ligji parashikon ndëshkimin nga një deri në 5 vite burg. Kjo është e padrejtë. Ta themi hapur. Nuk mundet si inicuesi i një procesi të peshohet njësoj në peshoren e drejtesisë me atë që për shkak të mungesës së ndërgjegjes, qytetarisë, apo edhe për shkak të varfërisë, njonjëherë, shet votën për para apo për një vend pune. Për fatin e keq Komisioni i Ligjeve në diskutimin që bëri në dhjetorin e 2020 nuk e mori parasysh kërkesën e INFOCIP. Kujtoj që në një kohë të mëvonshme kjo kërkesë u mor dhe nga OSBE e cila depozitoi edhe një kërkesë në Komisionin e Ligjeve për të diferencuar korruspionin aktiv nga ai pasiv’!