01 Maj 2021/Andi Turhanaj kandidat për deputet i ADR (Aleanca Demokracia e Re) ka kryer kallëzim penal në Drejtorinë e Policisë në qarkun Fier. Shkak është bërë një kërcënim që ai ka marr pasi ishte shprehur se do ti shkojë deri në fund zbardhjes së manipulimit të vjedhjes së votave të tij në zgjedhjet e 25 prillit.
Në një prononcim për Ora News, ai është shprehur se do t’i shkojë deri në fund për të zbardhur këtë çështje. “Unë jam në vitin e dytë, në master në Universitetin e Arteve. Vendosa të kandidojë për deputet nën siglën e Aleanca Demokracia e Re. Pas numërimit të votave pashë që shumë vota tona kishin dalë apstenim. Dhe këtë nuk e lejova dhe u shpreha se kësaj gjëje do i shkoja deri në fund.”
Ndërkohë nga ana tjetër ka marrë edhe kërcënime nga dy persona të cilët nuk i njihte, por thotë se e kanë kërcënuar me jetë. “Ditën e sotme, kur u ktheva nga Tirana dhe kur po futesha nga hyrja e pallatit, më vijnë dy djem, dhe më thanë: Hiq dorë se do të zhdukim. Më pas ja nisën duke më sharë. Pas kësaj erdha dhe bëra një kallëzim sepse u kërcënova me jetë. Mendoj që çështjen ta çojë në prokurori”. Kandidati për deputet Andi Turhani, ishte i pari në listë në Fier, por që sipas tij shumë vota kanë dalë të pavlefshme.