27 prill 2021 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njofton se është duke ushtruar me përparësi ndjekjen penale për rastet që lidhen me veprat penale në fushën e zgjedhjeve, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, apo ndaj subjekteve të ndryshëm, që janë kompetencë hetimi të kësaj prokurorie.
Për të gjitha rastet që janë në hetim, garantojmë subjektet që kanë paraqitur kallëzimet, si dhe opinionin publik se, deri tani janë hetuar dhe në vijim do të vazhdojnë të hetohen me përparësi, me metoda proaktive, objektivitet dhe pa asnjë hezitim, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të fakteve të pretenduara dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave që mund të jenë të përfshirë në veprimtari të kundraligjshme që lidhen me veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje.
Kushdo që ka të dhëna, fakte apo çdo gjë që mund të ndihmojë në sqarimin e rrethanave të fakteve të kallëzuara është i mirëpritur t’i paraqesë në Prokurorinë e Posaçme, duke i garantuar se do vlerësohen me seriozitetin e duhur dhe do i nënshtrohen hetimit të plotë.
Aktualisht në Prokurorinë e Posaçme janë në hetim 33 procedime penale, të cilët janë regjistruar :
• 27 procedime penale për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 Kodi Penal.
• 2 procedime penale për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga nenet 328 dhe 328/b Kodi Penal.
• 2 procedime penale për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, parashikuar nga neni 328/a Kodi Penal. (E lidhur me subjekte në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme)
• 1 procedim penal për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga nenet 248 dhe 328 Kodi Penal.
• 1 procedim penal për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Përhapja e sekreteve vetjake”, parashikuar nga nenet 328 dhe 122 Kodi Penal.