Në qendrën e votimit 0399 në qytezën e Fushë-Arrëzit ka ndodhur incidenti më i rëndë i kësaj dite. Një efektiv policie që më pas u identifikua si Gëzim Osmanaj është plagosur me thikë.
Sipas të dhënave policore të Komisariatit të Pukës bëhet me dije se autor është një person, i cili nuk ishte votues në atë qendër.
Ndonëse ende nuk janë zbardhur shkaqet e këtij sherri që degjeneroi në plagosje, policia njoftoi se e ka referuar ngjarjen në prokurorinë e rrethit dhe po kërkohet vënia në pranga e autorit!
Fushë Arrëz/ Informacion paraprak
Më datë 25.04.2021, rreth orës 19:00, gjatë mbylljes së procesit të votimit, në momentin e mbërritjes në QV nr. 0399, është plagosur me mjet prerës (thikë), punonjësi i Policisë G. O., i cili po dërgohet për mjekim në spitalin e Pukës.
Nga veprimet e para hetimore është bërë identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasi M. Ll., 32 vjeç, banues në fshatin Qafë Mali, Pukë dhe po punohet për kapjen e tij.
Në vendngjarje, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë , po vijon punën për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.