Ditën e sotme është hedhur shorti në Apelin Administrativ për ankesën e LSI-së në lidhje me vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve për karantinën dy-javore të emigrantëve shqiptarë që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas informacioneve të transmetuara nga “Newsbomb” kryesuesi i trupës gjyqësore që do të shqyrtojë ankimimin e LSI-së është Ardian Dvorani.
Kujtojmë se LSI, dorëzoi në Gjykatën Administrative të Tiranës më 20 prill një kërkesë për anulimin e vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve. Rreth 1 javë përpara zgjedhjeve, Komiteti vendosi karantinën 2 javore për shtetasit shqiptarë që do të vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas LSI-së, ky vendim është në kundërshtim me ligjin. Shorti u hodh në Apel, pasi Gjykata Administrative shpalli moskompetencë për ta shqyrtuar si kërkesë!