Gazetari Artan Hoxha publikon audio pergjimin: legalizimet përdoren për vota. Reagon Artan Lame: pranon së është zëri i tij në vitin 2017

20 Prill 2021 – Gazetari investigativ, Artan Hoxha, ka nxjerrë në FB e tij sot një audio pergjim te nje bisede ku degjohet Artan Lame qe perllogarit votat permes procesit te legalizimit. Në materialin  audio që gazetari ka publikuar në faqen e tij në facebook, titrohet nje bisede e cila implikon konvertimin ne vota te procesit te legalizimit.
Ne postimin e tij mbi audio pergjimin e publikuar, gazetari Hoxha thekson se “Agjensia Shtetërore e Kadastres, instruktohet qartësisht sesi duhet t’i manipulojë, mashtrojë, apo mbajë me shpresë të kotë, pronaret e afro 100 mije ndërtimeve pa leje, të cilet kane aplikuar për legalizim”.

“Sa më shumë afrohet 25 prilli, aq më e egër dhe e paskrupullt bëhet fushata zgjedhore…
Me një fjalë, nga shitja e sapunit për djath, kemi evoluar në shitjen e sapunit për kaçkavall, po nga ai francezi ama.
Ndërsa humbim kohë me “patronazhistet” e partisë, “patronazhistet” e vertete të qeverisë, po bëjnë kërdinë…
Më poshtë keni një rregjistrim audio, sesi një nga agjensitë më të rëndësishme qeveritare, Agjensia Shtetërore e Kadastres, instruktohet qartësisht sesi duhet t’i manipulojë, mashtrojë, apo mbajë me shpresë të kotë, pronaret e afro 100 mije ndërtimeve pa leje, të cilet kane aplikuar për legalizim.
Direktiva eshte e qarte, “nëse u themi që nuk legalizohen shtepite tuaja, i kemi hedhur direkt mish për top per kundërshtarin”…
Prandaj duhet t’i mbajmë varur…
Me një llogari të thjeshtë, 100 mijë ndërtime pa leje, janë minimalisht dy vota për shtëpi, ose 200 mijë vota në kuti, gati me shume se 20 mandate në parlamentin e ardhshem.
Prandaj popull, qëndroni vigjilent deri të dielen…”

Vetë Artan Lame ka reaguar po sot në lidhje me këtë regjistrim, ku sqaron se ajo bisedë është bërë në tetor ose nëntor të vitit 2017.

Ai thotë se të gjitha ato që thuhen në atë regjistrim janë të vërteta, ndërsa shton se të njëjtat fjalë i ka thënë edhe në studiot televizive për pronat që nuk mund të legalizohen.

Por sipas Lames, ka vetëm një ndryshim, pasi ligji i ri i legalizimeve do të zgjidhë problemin edhe të atyre pronave që nuk legalizohen, pasi pronarët e këtyre pronave do të përfitojnë dëmshpërblim.

Reagimi i plotë:

𝗭𝗕𝗔𝗥𝗗𝗛𝗝𝗔 𝗘 𝗡𝗝𝗘 𝗗𝗜𝗦𝗞𝗨𝗧𝗜𝗠𝗜 𝗧𝗘 𝗩𝗜𝗧𝗜𝗧 𝟮𝟬𝟭𝟳

Sot u publikua një regjistrim i një diskutimi tim, të folur në tetor (ose nëntor) 2017, për problematikat e vijimit të procesit të legalizimeve. Aty jemi pas zgjedhjeve të atij viti, pra nuk mblidhemi për të blerë vota se votat i kishim marrë, dhe po diskutojmë se si do të trajtojmë objektet që, me ligjin e trashëguar nga Saliu, nuk mund të legalizoheshin dot.

Të gjitha shifrat që përmenden aty janë të vërteta për atë kohë, le që unë i kam deklaruar vazhdimisht edhe publikisht dhe mund t’i gjeni në të gjitha daljet e mia publike.

Them “janë të vërteta për atë kohë”, sepse ndërkaq kemi ecur përpara. Pra, aty them 150 mijë legalizime, sot kemi tejkaluar 210 mijë. Aty them që kanë mbetur edhe 170 mijë por ndërkaq prej këtyre 60 mijë të tjera u bënë. E vetmja shifër ku nuk lëviz, janë rreth 90.000 ndërtime që nuk mund të legalizoheshin me ligjin e asaj kohe dhe këtë e kam thënë sa e sa herë edhe në media.

Natyrisht që unë aty them se “po nuk gjetëm një zgjidhje për këta njerëz, ata do të bëhen mish për top për palën tjetër”. Kush mund të thojë që nuk është kështu?!

Natyrisht që unë them se “këtyre njerëzve që nuk mund të legalizohen, ne do t’ju themi që do të gjejmë një zgjidhje kur të bëjmë ndryshimet ligjore”. Pse, ç’do t’ju thonim, që do t’ju vëmë kazmën sepse kështu e ka ligjin Saliu? Dhe këtë unë e kam përsëritur kaq e kaq herë në çdo takim publik.

Natyrisht që unë aty them që “atij që nuk i legalizohet shtëpia, edhe Miloshevici sikur të vijë e ti thotë që ta legalizoj unë, ai do të bëhet edhe me Miloshevicin”. Po këtë unë e kam thënë edhe në studio televizive.

Aty them se “për masën që nuk legalizohen dot, diku për shkak te nenit 35, diku në zonat që përmbyten, apo zonat e mbrojtura, është kriminale të bëhen”. Po kush më thotë që nuk është kështu dhe, edhe këtë e kam thënë gjithmonë publikisht. A nuk është kriminale të legalizosh në zona të mbrojtura apo në tokë me pronar?!

Dhe pikërisht me këto halle dhe për këto halle, ne bëmë me ligjin e ri 20/20 që u miratua më pas, pas këtyre diskutimeve, ligj i cili parashikon pikërisht këtë gjë, që objektet që nuk mund të legalizohen do të përfitojnë dëmshpërblimin.

Ky ligj i jepo zgjidhjen të gjithë kategorive për të cilat unë kam ngritur shqetësimin në atë takim, në diskutimet publike dhe deri në komisionet parlamentare kur u diskutua.

Rezultati: Ligji 20/20 parashikon zgjidhje për të gjitha kategoritë që përmendja dhe ngrija shqetësimin me zë dhe me figurë.

E folura ime aty është politike. Po natyrisht që politike do të jetë, se unë di të trajtoj problemin politikisht kur flitet për zgjidhje politike, ashtu siç di ta trajtoj teknikisht kur flitet për çështje teknike, apo si historian kur flitet për çështje historike.

Sfidoj përgjuesit dhe PD-në, të gjejnë një kategori ndërtimesh që unë kam përmendur aty dhe ne nuk e zgjidhëm me atë ligj. E kanë të lehtë ta bëjnë, sepse tani kanë në dorë edhe regjistrimin e atij takimi. Unë nuk kam regjistrimin por ligjin që po vepron.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>