FOTO/ Bardhi lëshon ‘bombën’ e mashtrimeve me punësimet në burgun e Shkodrës. Në listë dhe një deputet

E shtune 17/6/2017-Ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi ka urdhëruar kallëzimin në Prokurori të ish-drejtuesve dhe nëpunësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të përfshirë në këtë skemë mashtrimi, si dhe pezullimin apo shkarkimin e menjëhershëm të tyre nga detyra.

Bardhi kërkon hetim penal ndaj Ardit Hotaj, me funksion politik, Koordinator i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Malësinë e Madhe, si dhe verifikimin e rolit të kandidatëve për deputet për Qarkun Shkodër Agron Çela dhe Dritan Ylli në këtë proces.

Nëpërmjet një procesi të rremë dhe të paligjshëm, ish-drejtues dhe punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, janë përfshirë në një skemë mashtrimi të qytetarëve, duke krijuar perceptimin e gabuar se janë punësuar në IEVP Shkodër, që pritet të hapet në muajt në vijim, apo se ata janë në proces emërimi.

Ministria e Drejtësisë sqaron se nuk është kryer asnjë pranim apo punësim në IEVP Shkodër. Çdo premtim apo deklarim lidhur me këtë çështje është mashtrim për qëllime elektorale. Urdhri me nr. 297/2 Prot., datë 24.05.2017, është pjesë e një skeme mashtrimi të qytetarëve, nuk është ligjërisht i vlefshëm dhe nuk rezulton të jetë protokolluar ndonjëherë rregullisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Ai është prodhuar dhe shfaqur në mediat lokale të qytetit të Shkodrës, për të krijuar perceptimin e rremë se qytetarët po punësohen, duke e përdorur këtë proces për qëllime të përfitimit të padrejtë politik në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 Qershor 2017.

Ministria e Drejtësisë informon të gjithë personat që u është deklaruar se janë punësuar në IEVP Shkodër, se janë mashtruar dhe duhet të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për vënien përpara përgjegjësi penale të personave përgjegjës të kësaj skeme mashtrimi.

Në përfundim të këtij hetimi administrativ, Ministri Bardhi ka urdhëruar ditën e djeshme Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve që të bëjë menjëherë kallëzimin penal të këtij rasti në organin e Prokurorisë dhe në Policinë e Shtetit, si dhe të pezullojë apo shkarkojë nga detyra të gjithë nëpunësit përgjegjës. Në këtë drejtim, z. Bardhi falenderon Policinë e Shtetit dhe organin e Prokurorisë për veprimin e mënjëhershëm, si dhe i inkurajon ato në vijimin e hetimit të plotë dhe efikas të këtij rasti.

/syri.net/

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>