E shtune 17/6/2017-Kryeministri edi Rama është tërhequr sot duke kërkuar ndjesë nga thirrja që i drejtoi papritur edhe Policisë së Shtetit për të bërë fushatë për Partinë Socialiste, thirrja që krijoi tension në politikë.
“Ndjesë për zhurmën e krijuar nga thirrja ime për punonjësit e Policisë! – shkruan Rama sot në Fb. – S’ishte aspak qëllimi im ç’ka thonë keqdashësit,por gabimi mbetet imi” duke e konsideruar me shpërfillje “zhurmë”, reagimin që mori.
Gjatë mitingut elektoral dje në Berat, Rama tha: “I bëj thirrje të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, në momentin që lënë uniformën, pas punës të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për PS-në, në mënyrë që të mos lejojmë rikthimin e hijes së turpit mbi uniformën e tyre”.
Pas kësaj deklarate, Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj ka dalë menjëherë para medias duke e cilësuar si antiligjore thirrjen e kryeministrit dhe i kujtoi Policisë së Shtetit, ato që i ndaloheshin me ligj në fushatat elektorale dhe se ishte në monitorim të rreptë, ndaj i ftoi të gjithë punonjësit e saj “që të respektojnë çdo gërmë të ligjit përndryshe masat do të jenë proporcionale me shkeljet e kryera.”
Po ashtu reagoi edhe lideri i opozitë, Lulzim Basha: “Republika e vjetër është në ditët e saj të fundit. Ja sot në Berat bëri thirrje policëve që të mbledhin vota. Policia është e depolitizuar. Asnjë nuk mundet sepse automatikisht shkarkohet, – tha Basha në emisionin Zonë e lirë. – Me kriminalizimin e shtetit dhe përdorimin e policisë, tregon ku ka mbërritur. As Ramiz Aliaj nuk e ka bërë këtë, që të bëjë thirrje policisë dhe ushtrisë të mbledhë vota. Që në 1991 policia u depolitizua”, u shpreh Basha.
Ramës i ka dalë në krah një nga socialistët e vjetër dhe bashkëpunëtori i tij i afër, Pandeli Majko, që ka synuar ta justifikojë deri diku mbrëmë tek “Studio e hapur”. “Rama e kaloi cakon. Nuk i heq asnjë presje deklaratës së ministrit. Por deklarata e Ramës kishte një konotacion tjetër, familjare”, tha Majko.
/syri.net/