Shkarkime dhe emërime të tjera në disa drejtori burgjesh e hipotekash. Ja emrat

12/6/2017

Ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi, ka shkarkuar sot nga detyra Drejtorin e IEVP Vlorë, Bashkim Habilaj, si dhe Drejtorin e IEVP Fushë-Krujë Albert Malaj, me motivacionin e braktisjes së detyrës dhe keqmenaxhimit të institucionit.

Kjo vendimmarrje e Ministrit të Drejtësisë ka ardhur pas informacioneve të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, nga ku është vërejtur se:

– Drejtori i IEVP Vlorë, pa asnjë arsye të përligjur dhe pa asnjë njoftim, nuk paraqitet në detyrë prej disa ditësh. Kjo sjellje përbën braktisje të detyrës dhe është administrativisht dhe penalisht e dënueshme.

– Drejtori i IEVP Fushë-Krujë, nuk ka menaxhuar në mënyrë efektive stafin nën varësinë e tij, ku janë vërejtur mungesa të pajustifikuara; ka lejuar, nëpërmjet mosveprimit, futjen e sendeve të ndaluara në institucion, ku përfshihen jo vetëm telefona celular, por edhe pije të ndryshe alkoolike; ka lejuar, nëpërmjet mosveprimit, shkeljen e rregullave mbi oraret e regjimit të brendshëm, duke shkaktuar kaos në institucion, si dhe duke rrezikuar sigurinë; ka shkelur rregullat mbi kontraktimin e operatorëve tregtar që veprojnë brenda IEVP; si dhe ka shkelur rregullat e takimeve të lejuara midis të burgosurve dhe familjarëve të tyre, si dhe rregullat e akomodimit të të dënuarve.

Gjithashtu po sot, z. Bardhi ka urdhëruar emërimin e drejtuesve të rinj të sistemit të burgjeve dhe konkretisht të Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, dhe drejtuesve të 8 IEVP-ve (Tropojë, Burrel, Fier, Rrogozhinë, “Jordan Misja”, Lezhë, Vlorë dhe Fushë-Krujë), si dhe drejtuesve të rinj të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Durrës, Shkodër, dhe Sarandë).

Ministria e Drejtësisë është duke monitoruar nga afër veprimtarinë e të gjitha institucioneve të varësisë së saj, dhe në ditët në vijim do të informojë opinionin publik me rezultatet e këtij monitorimi. Ministri i Drejtësisë z. Bardhi gjen rastit të paralajmërojë çdo zyrtarë që të mos përdorë funksionin publik për qëllime politike, sepse do të përballet me pasojat e këtij veprimi të paligjshëm, jo vetëm administrativisht, por edhe penalisht. Deri më tani janë në verifikim dhe proces dokumentimi raste të shumta, ku për qëllime politike, po përdoret veprimtaria e administratës shtetërore.

Ministria e Drejtësisë fton çdo qytetar që të denoncojë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve, duke qenë garant i zbatimit korrekt të ligjit.

Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo veprimtari politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve së administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

/syri.net/

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>