9/6/2017-
Kallëzohet administratori i LSI-së në Tiranë, pasi regjistroi 70 persona në mënyrë fiktive sikur ishin pjesë e banesës se tij.
Burime policore bëjnë me dije se seksioni i Hetimit të Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë referuar materialet proceduriale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit Elez Gjoza.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se transferimi i gjendjeve civile të këtyre shtetasve dhe rregjistrimi i tyre pranë Njësisë Bashkiake nr. 2, është kryer me qëllimin ndikimin në zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë në datë 25.06.2017.
“Ai u premtonte këtyre shtetasve vende pune në këmbim të votës. Specialistët e Seksionit të Hetimit të Korrupsionit, po punojnë për saktësimin e gjeneraliteteve të këtyre shtetasve”, thotë policia.
Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë së Rrrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike”, “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga nenet 328/a, 328/b dhe 186/3 të Kodit Penal.
/mapo.al/