9/6/2017-
Ministrja e Mirëqënies Sociale Xhuljeta Kërtusha ka firmosur largimin nga puna të Drejtorit Rajonal Të Sigurimeve Shoqërore në Elbasan, Ervis Xhelos.
Xhelo është në fakt një figurë e PDIU-së e cila “preket” për herë të parë nga “spastrimi” që po bëjnë Ministrat teknikë të PD-së.
Akuza për largimin nga puna është ajo e përfshirjes në fushatën elektorale në shkelje të ligjit.
“Ministrja Kërtusha i ka propozuar Astrit Hado, Drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqëore, largimin nga puna të Ervis Xhelo me detyrë, “Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore” Elbasan, me arsyetimin se ekzistojnë faktet që vërtetojnë se Xhelo ka marrë pjesë në fushatën elektorale të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet , gjatë orarit zyrtar të punës.
Propozimi i Ministres Kërtusha bazohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 473 datë 1.6.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë, për vitin 2017”.
Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë i kujton edhe një herë të gjithë punonjësve të administratës dhe institucioneve në varësi, që të respektojnë kuadrin ligjor në fuqi për të mos u përfshirë dhe ekspozuar publikisht në aktivitete të fushatës zgjedhore, gjatë orarit zyrtar të punës. MMRS është e angazhuar që në zbatim të ligjit dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave, të monitorojë dhe marrë masa për rastet e deoncuara dhe verifikuara.
Nga ana tjetër kërkohet bashkëpunim dhe vendosmëri në zbatimin e ligjit edhe nga drejtuesit e institucioneve, të cilët kanë përgjegjësi direkte në lidhje me aktivitetin e punonjësve të tyre, mbyll njoftimin ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
/lapsi.al/