9/6/2017-
Ministrja teknike e arsimit, Mirela Karabina denoncon publikisht Sekretarin e Përgjithshëm, Plarent Ndreca, se po ushtron presion në administratën e këtij dikasteri për të kundështuar masat për shmangien e përdorimit të administratës në zgjedhje. Sipas një njoftim për shtyp, ku bëhet e ditur kërkesa për pezullimin nga detyra të Drejtores së Drejtorisë Arsimore të Vlorës, Albana Hodaj, thuhet se Ndreca po pengon zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit, znj. Mirela Karabina ka kërkuar sot më datë 09.06.2017 pezullimin e menjëhershëm nga puna të Drejtores së Drejtorisë Arsimore Rajonale Vlorë, znj. Albana Hodaj. Pezullimi i drejtueses së DAR Vlorë ka ardhur si pasojë e kundërshtimit për të zbatuar veprimtarinë dhe përgjegjësitë institucionalë të titullarit të Institucionit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 473, datë 01.06.2017, “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”.
Sjellja dhe veprimet e znj. Hodaj, përveç se në shkelje të plotë të etikës institucionale, janë në kundërshtim të plotë me përcaktimet ligjore dhe përgjegjësitë e detyrave të nëpunësve të administratës publike, të shfaqura jo vetëm në këtë takim pune të titullarit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, por edhe në drejtori të tjera rajonale të arsimit është konstatuar se janë të imponuara nëpërmjet presionit të ushtuar mbi ta nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit z. Plarent Ndreca.
Ndërkohë denoncimeve të përcjella nga ana e Ministrit të Arsimit dhe Sportit pranë organeve të prokurorisë në rrethe, në përputhje me masat e përcaktuara në Vendimin Nr. 473, datë 01.06.2017, sipërcituar, Sekretari i Përgjithshëm jo vetëm që nuk ka qene bashkëpunues në këtë proces, por vijon të pengojë duke ushtruar presion konstant në administratën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.”
/lapsi.al/