Partitë politike që kanë monopolin mbi ligjin dhe vendimmarrjen, dhe në pushtet kontrollojnë entet publike për zbatimin e ligjit, janë vetë ato shkelëset kryesore të tij. Raport i Institutit të Studimeve Politike, i hartuar për periudhën Mars-Maj 2016, kohë kur tre forcat kryesore politike ishin në proces zgjedhje dhe ristrukturimi, nxjerr që grupimet politike në vendin tonë janë të mbyllura për publikun dhe refuzojnë transparencën dhe llogaridhënien.
Krasniqi: Asnjë prej tyre nuk i bën publike burimet e financimit, asnjë prej tyre nuk i bën publike vendimmarrjen dhe strukturat përkatëse. Asnjë prej tyre nuk pranon të ketë zëra kritikë në përfaqësimin e tyre publik, asnjë prej tyre nuk tregon se si janë rregullat e shkruara të funksionimit dhe si respektohen. Asnjë prej tyre nuk jep një database të saktë me të dhëna të besueshme mbi anëtarësimet. Asnjë prej tyre nuk jep pikat e kontakteve me degët e tyre në Shqipëri dhe në diasporë. Asnjë prej tyre nuk jep mekanizmat minimal që çdo qytetar i kërkohen me ligjin e të drejtës së informimit, qoftë në ent publik apo privat dhe qytetarëve për shkak të detyrimeve që kanë në Tatime.
Sipas ndjekësit të studimit, Politologut Afrim Krasniqi, detyrimi i transparencës se Partive është koncept kushtetues. Kjo sanksionohet në nenin 9.
Krasniqi: Edhe sikur t’ju adresohemi, asnjë prej tyre nuk është e gatshme të tregojë minimumin e vullnetit për të treguar këto dokumente ose të dhëna. Duke qenë parti klienteliste, burimin kryesor e kanë burimin informal të vendimmarrjes dhe të financimit. Shumica e partive nuk i deklarojnë funksionarët e tyre politikë, pasi një pjesë e madhe e konstatuar edhe nga raporti ynë, mbajnë dy statuse, edhe politik edhe civil, gjë që është në kundërshtim me ligjin.
Liri për tu mbyllur dhe refuzuar transparencën nga financimi e deri tek organizmi, partitë politike e gjejnë tek mangësitë dhe paqartësitë në ligj. Legjislacioni aktual për partitë politike, sipas politologut Krasniqi, është i manget dhe ka nevoje për rishikim.
Krasniqi: Kur nuk kanë kontroll, ato thonë se mungon mekanizmi i kontrollit. Kjo i ka kthyer partitë në klienteliste, i ka kthyer në zyra punësimi, zyra tenderash dhe si të tilla e ka deformuar tërësisht misionin që parashikon ligji. Nëse partitë do t’i ktheheshin ligjit dhe do të pranonin ndryshimet ligjore, me siguri pikat e para të ndryshimit do të ishin këto pika sepse janë standarde ndërkombëtare. Shqipëria nuk mund të arrijë kurrë standardet e Bashkimit Evropian, nëse ne nuk ndryshojmë legjislacionin që lidhet me zgjedhjet në tërësi, me referendumet, me përfaqësimin dhe sidomos me funksionimin e partive politike si institucionet e vetme që kanë monopolin në Shqipëri, por unë e shoh si një proces të largët. Ne me ekspertë po punojmë për të paraqitur një draft publik, për t’ia paraqitur të gjithë deputetëve dhe partive politike.
Referuar standardit minimal të informimit publik, raporti vëren se, pjesa më e madhe e partive nuk kanë faqe internet.
Krasniqi: Nga 126 parti politike që ka në Shqipëri, dhe 66 janë regjistruar aktive në zgjedhjet e fundit, vetëm tre katër parti kanë faqe interneti aktive. Edhe këto parti, e kanë tërësisht të personalizuar. Ne marrim vesh aty çfarë bën kryetari, çfarë mendon kryetari, por ne nuk marrim vesh çfarë mendon partia dhe çfarë vendos partia. Dhe nga ana tjetër është teoria e famshme vitit zero. Asnjë nga partitë politike nuk ka një historik, asnjë nuk tregon si është krijuar partia, kush kanë qenë themeluesit, sepse nëse e tregojnë këtë gjë, atëherë publiku do të kërkojë; si është e mundur që pjesa më e madhe e partive i kanë përjashtuar themeluesit e partisë.
Raporti vëren me shqetësim se në partitë shqiptare, ndryshe nga hierarkia statusore e miratuar në gjykatë, organizimi politik po ecën në drejtim të centralizimit vendimmarrës. Kjo është hera e parë në historinë 26 vjeçare të pluralizmit politik që hartohet një raport periodik kombëtar mbi partitë politike, dhe që çështjet e demokracisë së brendshme të trajtohen si çështje me interes publik. Politologu Afrim Krasniqi, thotë se në dy vitet e fundit ndërkombëtarët e kanë shtuar vëmendjen ndaj menyrës se si funskionjnë partitë poltike, pasi me këtë ata lidhin dhe mënyrën se si qeveriset apo shkojnë gjerat në vend.