Shqipëri, Brukseli “Listat e kandidatëve me njerëz me integritet”

Marre nga VOA – Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikën e Jashtme Joseph Borrell tha sot në Bruksel se të gjithë forcat politike në Shqipëri “duhet të bëjnë të pamundurën të sigurojnë që në zgjedhjet e 25 Prillit, listat e kandidatëve të kenë njerëz me integritet”. Ai i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri. Sipas tij, një gjë e tillë “është kyce për të treguar se vendi dëshiron vërtetë të luftojë korrupsionin. Dhe lufta ndaj korrupsionit është një nga aspektet dhe përparësitë kyçe për Shqipërinë dhe për një demokraci funksionale”

 

Duke ju drejtuar po ashtu të gjithë udhëheqësve dhe partive politike shqiptare ai shtoi se “integrimi europian duhet të jetë një objektiv i përbashkët dhe se kërkohet angazhimi i të gjithëve për të patur dialog konstruktiv. Polarizimi i skajshëm – nënvizoi ai – nuk është shenjë e pjekurisë politike e nuk i shërbën vendit, pasi pengon progresin e tij dhe nuk është në interesin e qytetarëve shqiptarë”.

Edhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi tha se Brukseli “shpreson që zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme e do të kemi provën e parë të funksionimit të demokracisë shqiptare dhe që pas zgjedhjeve shumë shpejt të vazhdojmë punën. Inkurajuam autoritetet që të mos ndalojnë së punuari dhe gjatë fushatës, sepse arritja e rezultateve dhe mbajtja e premtimeve në terren ka qenë shumë e rëndësishme për të bindur Shtetet anëtare për të mbështetur çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Konferencën e parë ndërqeveritare”.

Këshilli i Stabilizim Asocimit vlerësoi ecurinë pozitive të reformave në Shqipëri. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell, deklaroi se “ne e përgëzuam Shqipërinë për këmbënguljen për të ecur përpara me axhendën e reformave dhe për rezultatet që janë arritur tani, në veçanti në fushën e të drejtës dhe shtetit ligjor. Dëshirojmë ta inkurajojmë që të vazhdojë me këto reforma por dhe për faktin se ato janë kyce për modernizmin e Shqipërisë dhe për të mirën e qytetarëve shqiptarë”.

Edhe në Deklaratën e përbashkët në përfundim të mbledhjes theksoeht se “Këshilli i Stabilizim-Asocimit, rishikoi dhe vuri në dukje progresin në fushat e reformave duke përfshirë shtetin e së drejtës dhe gjyqësorin, respektimin e të drejtave themelore, administratën publike, politikën ekonomike, arsimin dhe punësimin, ndërlidhshmërinë dhe axhendën e gjelbër. Këshilli vlerësoi vendosmërinë e Shqipërisë në zbatimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit evropian”.

Sipas Deklaratës “një theks i veçantë u vu tek procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (“procesi i vetingut”) si edhe tek Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, që kanë rifilluar tashmë nga puna. Këshilli vlerësoi pozitivisht se organet e reja të specializuara të Shqipërisë për të luftuar anti-korrupsionin dhe krimin e organizuar kanë filluar të veprojnë”.

Nga ana e tij Komisioneri Varhelyi theksoi se “nga ana jonë, vlerësimi që po u japim Shteteve anëtare, është se gjithshka është përmbushur për konferencën e parë Ndërqeveritare, të gjitha kriteret”.

Vlerësime pozitive Shqipëria mori dhe sa i përket qasjes së saj për çështjet e sigurisë apo linjëzimin e saj me vendimet e politikës së jashtme të BE-së. “Shqipëria është një partner kyç për BE-në, një partner i besueshëm për sigurinë dhe në shumë aspekte një shembull për rajonin. Shqipëria tashmë në mënyrë të qëndrueshme është 100 përqind në përputhshmëri të plotë me vendimet e politikës së BE-së për çështjet e jashtme dhe të sigurisë dhe kjo na jep një sinjal shumë të fortë të përkushtimin për anëtarësimin në BE dhe në këtë formë është një shembull në Ballkan dhe këtë nuk mund ta themi për të gjitha vendet e rajonit”, theksoi Përfaqësuesi i Lartë Borrell.

Kryeministri Edi Rama u shpreh i kënaqur që Komisioni Europian vlerëson se vendi i tij i ka përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e konferencës së parë Ndërqeveritare, ndërsa përsëriti kritikat e njohura ndaj qasjes së BE-së për çështjen e vaksinave anti COVID, ku vendet e Ballkanit Perëndimor u lanë jashtë planit të vaksinimit që BE-ja hartoi vetëm per vendet anëtare. “Ishte një moment tronditës për njerëzit tanë, pasi siç e dinë të gjithë ne nuk jetojmë në kufi me BE-në, por jemi brenda, të rrethuar në rajonin tonë me kufijtë e BE-së. Duke patur njerëzit tanë të cilët e ndjenë se vaksinat nuk ishin diçka që meritonin të kishin në një kohë me të tjetërt, ishte një gjë e keqe shumë. Po të gjithë e dimë se si shkoi kjo gjë. Sot ka 140 vende që nuk kanë nisur asnjë injeskion, 10 vende që kanë 70 përqind të prodhimit. Shpresoj fort që kjo situatë të zhbllokohet”, deklaroi zoti Rama duke lënë të kuptohet se Shqipëria ndoshta mund të ndjekë dhe shembullin e vendeve të tjera të rajonit për të përdorur vaksinat kineze apo ruse. “Ndërsa po punojmë shumë fort për të rritur kapacitetet, edhe pse nuk qe zgjedhja jonë më e mirë, po shohim përtej burimeve tashmë të dëshirueshme të vaksinave”, u shpreh ai.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>