E mërkurë 19/07/2017- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kallëzoi penalisht 76 anëtarë dhe numërues të parë të grupeve të numërimit, pasi shqyrtoi dy ankimimet e paraqitura nga partitë politike, PDIU dhe PS, të cilat kundërshtuan rezultatin e votimit për disa zona zgjedhore në qarkun Tiranë, duke kërkuar rinumërimin e rivlerësimin e votave për 64 qendra votimi, me pretendimin se numri i votave reale nuk përputhej me rezultatin e hartuar nga Grupet e Numërimit në tabelat e qendrave të votimit. Edhe pse ndryshimet e konstatuara në tabelat e rezultatit nuk sillnin pasoja në rezultat apo në pavlefshmërinë e zgjedhjeve në zonën zgjedhore, Kryetari i KQZ, z. Klement Zguri, fajësoi direkt partitë politike se nxitën numëruesit për tjetërsimin e votave. Por ai theksoi, se kjo ishte një bindje e tija dhe i ngelet Prokurorisë për ta vlerësuar.
Baza ligjore e referuar: Neni 326/2 Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve (Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012; shfuqizuar pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, me ligjin nr. 144/2013, datë 2.5.2013)