E hene 19/6/2017-POlicia e Lezhës ka zbardhur sot një incident që ka ndodhur dje në Dajç të lezhës, ku një grua 33-vjeçare dhe vëllai i saj janë kërcënuar me pistoletë që të mos shpërndajnë para për fushatën elektorale. Policia ka shpallur në kërkim tre autorët dhe po heton ngjarjen.
Njoftimi i plotë i Policisë
Në datë 18.06.2017, rreth orës 14:50 në sallën e Komandimit u mor njoftimi se në fshatin Gjadër, Njësia Administrative Dajç, shtetasja M.N., 33 vjeçe, banuese në Gjadër është kanosur me armë zjarri nga disa persona.
Me të marrë njoftimin u ngrit grupi hetimor, i cili shkoi në vendin e ngjarjes dhe janë kryer veprimet e para proceduriale, si dhe është organizuar puna për të bërë të mundur dokumentimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje.
Nga tërësia e veprimeve të deritanishme rezulton se rreth orës 14:30, shtetasja M.N. së bashku me vëllain shtetasin E.N., kur po lëviznin me automjetin e tyre në Gjadër janë ndaluar nga një mjet fuoristradë tip ‘Benz’, nga ku kanë zbritur 3 persona.
Sipas kallëzimit të shtetases M.N., njëri prej tyre nën kërcënimin e armës së zjarrit pistoletë i ka kanosur ata dhe familjarët e tyre, me motivin që mos të shpërndanin lekë për fushatë elektorale.
Nga veprimet hetimore rezulton se autorë të dyshuar të kësaj vepre penale janë shtetasit:
– S.N. 19 vjeç, banues në Lezhë
– G.M. 21 vjeç, banues në Lezhë
– A.M. 24 vjeç, banues në Lezhë.
Veprimet në lidhje me këtë ngjarje janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje.
Strukturat e Policisë po punojnë për kapjen e personave të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.
/syri.net/