Gazmend Bardhi ka depozituar një tjetër padi në SPAK kundër një personi që është në detyrë në drejtorinë e Kadastrës së Tiranës.
Objekti i kallëzimit mësohet se është vepra penale e shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe Korrupsion aktiv në zgjedhje, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Kallëzimi për D.S, si punonjës i kësaj drejtorie bëhet me dije se lidhet me premtimet e tij për shpërndarje legalizimesh kundrejt votës së qytetarëve.
Në kallëzimin e depozituar në SPAK, PD ka identifikuar edhe zonat ku pretendohet se do të shpërndahen këto legalizime, në zonën ku edhe punon i kallëzuari. Bëhet fjalë për Saukun e Sipërm, Saukun e Poshtëm dhe zonën e Senatoriumit.
Partia Demokratike pretendon në kallëzimin e saj se ka fakte dhe prova kundër këtij personi i cili po kërkon vota për subjektin politik Partia Socialiste!
Ende nuk dihet se çfarë vendimi do të marrë SPAK në lidhje me këtë çështje të kallëzuar tashmë në prag të zgjedhjeve të 25 prillit!