Pogradec, 7 Qershor 2021 – Ambasadorja Yuri Kim ka deklaruar pas takimit me kryeprokurorin Olsian Çela në Pogradec se në fokus të diskutimit ka qenë reforma në drejtësi.
Kim, ka bërë dhe një herë thirrje për hetimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore të evidentuara të 25 prillit. Gjatë një takimi me Prokurorin e Përgjithshëm, ajo u shpreh se, është shumë e rëndësishme të hetohen krimet zgjedhore në mënyrë që viktimat dhe shkelësit të marrin atë që meritojnë. Deklarata e zonjës Kim vjen në një moment kur në KAS dhe Kolegjin Zgjedhor vijon gjykimi i ankimimeve nga ana e opozitës.
“Ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm për reformën në drejtësi në Shqipëri. Ne donim të shihnim se si po shkonin dhe çfarë mund të bëjmë për të ofruar më shumë mbështetje. Prokurori dhe unë folëm për rëndësinë e ndjekjes së krimeve zgjedhore. Në rastet kur ka krime viktimat duhet të marrin atë që u përket dhe shkelësit duhet të dënohen. Folëm edhe për rëndësinë që ka ruajtja e këtij roli të prokurorëve”, deklaroi Kim.
Ambasadorja Kim dhe Prokurori i Përgjithshëm Çela u takuan në mëngjesin e dates 7 Qershor 2021 me koordinatorët e viktimave në Pogradec. Ambasadorja Kim i falënderoi ata për rolin kritik që luajnë në mbrojtjen e të drejtave të viktimave të dhunës me bazë gjinore dhe krimeve të tjera.