07/06/2017 – Nga Pranvera Bozhiqi.
Ministria e Financave ka dërguar në prokurori për hetim drejtorin e Tatimeve të Kukësit Albert Halilaj dhe dy doganierë të degës së Tiranës dhe Kakavijës, pasi dyshohen se janë përfshirë në fushatën elektorale. Ministrja teknike, Helga Vukaj, kërkon nga gjyqësori hetime të mëtejshme teksa ka servirur edhe dy foto të doganierëve në fushatën e Partisë Socialiste
Drejtori i Tatimeve të Kukësit dhe dy punonjës të pikëve doganore në Tiranë dhe Kakavijë janë zyrtarët e radhë të cilët dërgohen në Prokurori me akuzën e pjesëmarrjes në fushatë elektorale.
Ishte Ministria e Financave ajo që ka kërkuar procedim ndaj shtetasve Albert Halilaj, Adriatik Hamza dhe Misto Kano.
Përmes një njoftimi zyrtar, Ministrja teknike Helga Vukaj bën me dije se Drejtori i Tatimeve të Kukësit Halilaj rezulton të jetë përfshirë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në fushatë.
Ndërsa për dy punonjësit e Doganës, atë të Tiranës Adriatik Hamza dhe të Kakavijës Misto Mano, Ministria e Financave ka publikuar dy foto ku dy zyrtarët shfaqen të përfshirë në fushatën elektorale të PS, dhe sipas Ministrisë janë në kundërshtim flagrant me ligjin.
Në shkresën e dërguar për ta kërkohet hetim nga Prokuroria e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës dhe të Gjirokastrës në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave të marrë në 1 qershor kur u ngrit task-forca e monitorimit të fushatës.
Nisur nga ky rast, Ministria e Financave kërkon nga të gjithë punonjësit e institucioneve të varësisë të zbatojnë me përpikëri detyrat funksionale në përputhje me legjislacionin në fuqi.
/Oranews.tv/