17 maj 2021/Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela ka marrë një tur takimesh në prokuroritë e disa rretheve të jugut të vendit. Në të gjitha takimet që ka patur me drejtues të këtyre prokurorive ai ka thënë që iu ka kërkuar të hetohen shpejt e me transparencë krimet e dyshuara zgjedhore.
Në Fier, Vlorë dhe në Elbasan, krahas kërkesave të tjera shefi i akuzës, një rëndësi të veçantë i ka kushtuar hetimit të krimit zgjedhor. Nga Vlora ai tha publikisht se “krimi zgjedhor është prioritet i ditës, ndaj iu kam kërkuar prokurorive të vendit që në kohë optimale të përfundojnë hetimet sa më shpejt. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë në raport me disa prokurori të tjera ka një ngarkesë më të ulët sa i përket këtyre dy veprave, pasi ka më pak kallëzime. Por në rëndësinë e tyre janë të gjitha vlerë. U është kërkuar prokurorëve në kohë optimale të përfundojnë këto hetime sa më shpejt”!
“Krimi zgjedhor”-një term që hyri në terminologjinë tonë të përditshme për herë të parë u artikulua publikisht nga INFOCIP. Ndaj edhe organet ligjzbatuese kanë nisur ta përdorin si term thuajse në çdo dale që kanë të bëjnë me incidentet në fushatën elektorale, procesin zgjedhor dhe procesin e numërimit!